Një grup atletësh të rinj të Vllaznisë kanë marrë pjesë ditët e fundit në një turne ndërkombëtar që u zhvillua në Split të Kroacisë. Në këtë turne kanë marrë pjesë sportistë nga vendet ballkanike që lagen nga Deti Adriatik, pra Kroacia, Sllovenia, Bosnja, Mali i Zi dhe Shqipëria. Kjo e fundit është përfaqësuar nga sportistët e ekipit të Vllaznisë të drejtuar nga trajnerët Albert Marashi dhe Fatjon Serhati. Garat janë zhvilluar për moshën deri 15 vjeç dhe kanë patur rivalitet. Atletët e rinj shkodranë janë përfaqësuar përgjithësisht mirë duke merituar edhe dy medalje bronzi.

Kështu, sportisti Ardit Nikaj ka konkurruar në garën e 100 metrave dhe me kohën 12″68 ka arritur të zërë vendin e tretë dhe të marrë medalje bronzi. Edhe sportisti tjetër Heldi Valikaj ka zënë të njëjtin vend në garën e kërcimit së gjati kur ka kërcyer 5.30 metra. Ndoshta mundësitë kanë qenë për të zënë edhe ndonjë vend tjetër nderi por ndoshta në paraqitjet e tyre ka ndikuar edhe lodhja si pasojë e udhëtimit të gjatë me autobuz nga Shqipëria në Kroaci. Gjithsesi, ka qenë një përvojë e këndshme për të gjithë sportistët dhe kryetrajneri i ekipit të Vllaznisë Marashi, të tillë e vlerëson atë kur për shkodrasport.com do të shprehej: “Besoj se ishte një përvojë shumë pozitive për këta të rinj që janë në hapat e tyre të parë në atletikë. Dy medaljet e bronzit që morëm, janë një arritje jo e vogël nduke ditur edhe problematikat që kemi aktualisht me kushtet e stërvitjes, prandaj dhe jam i kënaqur me këto rezultate që arritëm”.

Gjergj KOLA

Ne foto, atleti i Vllaznise Heldi Valikaj ne podium (i treti) ne garen e kercimit se gjati ne Split te Kroacise.