Ditët po afrojnë dhe atletët e Vllaznisë janë në përgatitjet e fundit për aktivitetin e rradhës, pikërisht për kupën “100 vjet atletikë Vllaznia” që do të zhvillohet ditën e premte në Shkodër.

Fakti që garat e atletikës (ato të shpejtësisë) rikthehen pas plot 23 vitesh në këtë qytet, ka marrë jehonën e duhur dhe pritet të ndiqet me interes edhe nga tifozët e këtij sporti.

Ekipi i trajnerëve të Vllaznisë me në krye Albert Marashin dhe me Vildan Tufin, Bruno Rrotanin, Fatjon Serhatin dhe Dorian Tafën në përbërje, i kanë bërë gati atletët e tyre dhe do të tentojnë t’i fitojnë ndoshta të gjitha garat.

Duke filluar me ato të kërcimeve si për meshkuj ashtu edhe për femra, për të vazhduar me garën e 100 metrave, të 200 dhe 400 metrave dhe pse jo edhe me 800 metrat.

Vllaznia prej vitesh po tregon se është kampione absolute e vendit dhe këtë po e demostron në të gjitha aktivitetet kombëtare që zhvillohen dhe jo vetëm me të rriturit, por edhe me grupmoshat.

Këtë gjë do të tregojnë edhe në garat e së premtes dhe padyshim që kjo do t’u dhurojë emocione sepse do të marrin edhe duartrokitjet e tifozëve shkodranë.
© shkodrasport.com