Klubi francez i Nice është ankuar se Mario Balotelli ka marrë një karton të verdhë në momentin që ka pretenduar nga gjyqtari të ndalë koret raciste kundër tij në ndeshjen e humbur 3-2 ndaj Dijon, të shtunën në mbrëmje.

Ishte minuta e 74-t, kur sulmuesi me ngjyrë nga Italia protestoi te gjyqtari Nicolas Rainville në lidhje me abuzimin që po bënin tifozët e Dijon.

Në faqen zyrtare të Nice në “Twitter”, italiani shkroi: “Mario Balotelli mori karton të verdhë pasi e humbi durimin me ofendimet raciste që po vinin nga tifozët vendas.”

Nuk janë dhënë detaje të tjera në lidhje me ngjarjen me trajnerin Lucien Favre dhe presidentin Jean-Pierre Riviere që janë ankuar për gjyqtari Rainville, por për vendime të tjera në ndeshje, jo për kartonin e verdhë ndaj sulmuesit.

Nuk është hera e parë që Mario Balotelli pëson ofendime të tilla në Francë. Në janar 2017, ai foli kundër tifozëve të Bastia që gjatë ndeshjes imitonin majmunët në momentin që ai prekte topin.

Atëherë, Federata Franceze e Futbollit nisi një hetim, ndërsa këtë herë nuk dihet se çfarë do të ndodhë.

Nice po kryesonte 2-1 në fund të pjesës së parë, por rezultati u përmbys me dy gola të pësuar në fund, njëri prej të cilëve me një penallti shumë të dyshimtë.

Ky rezultat e zbret ekipin e presidentit Riviere në vendin e tetë të Ligue 1. Pronari u ankua publikisht pas ndeshjes: “Jam i skandalizuar. Kjo është ndeshja e katërt radhazi që po luajmë 11 kundër 12.

Diferencat në vendimmarrje nga gjyqtarët dhe gabimet e tyre kanë filluar të bëhen të pakuptueshme.” /telesport/