Mesfushori shkodran Florind Bardulla ditën e djeshme i është nënshtruar një ndërhyrje kirurgjikale. Ajo është e dyta që bën pikërisht në të njëjtin vend, në kavilje. E kishte bërë edhe para dy vitesh dhe ai luajti pa problem por kohët e fundit ka ndjerë jo pak shqetësime, çka ia bënte edhe më të vështirë të luajturit në fushë.
Madje, në ndeshjen e fundit me Tiranën mjekët e kanë këshilluar të mos luante por ai ka dashur të sakrifikojë duke parë dhe problemet që u krijuan me mungesat e disa titullarëve dhe për këtë arsye, ka injektuar një gjilpërë vetëm që të largonte dhimbjet për momentin dhe ka dhënë më të mirën e tij në fushë. Një saktificë që ia vlejti por që njëkohësisht tregon më së miri edhe për karakterin e këtij sportisti ndryshe nga disa të tjerë që e braktisën atë në momentet e saj më të vështira. Por me të përfunduar kampionati, Bardulla pas konsultave edhe me mjekët specialistë ka dalë në përfundimin se duhej patjetër që t’i nënshtrohej ndërhyrjes kirurgjikale. Ajo thuhet të ketë dalë me sukses dhe brenda një periudhe të shkurtër pritet që mesfushori t’i bashkohet skuadrës në stërvitje.
© shkodrasport.com