Largimet e disa prej lojtarëve “jabanxhinj” që luajtën sezonin e kaluar me Vllazninë, natyrisht që ka lënë një gropë jo të vogël tek Vllaznia. Për më tepër që edhe ndonjë nga futbollistët shkodranë ka ndër mend të vazhdojë karrierën jashtë vendit. Kjo do të thotë se numri i lojtarëve në dispozicion të trajnerit Cungu është reduktuar edhe më tepër. Nga ana tjetër, gjatë sezonit të fundit edhe ndonjë nga futbollistët e tjerë shkodranë nuk ka bindur aq sa duhet me paraqitjet e tij dhe prandaj kontratat me to mund të mos rinovohen.

Numri i lojtarëve me kontratë që mbeten aktualisht nuk shkon më shumë sesa 15-16 lojtarë. Kjo e bën të domosdoshme marrjen e 10 futbollistëve të tjerë dhe padyshim që ky do të jetë një problem sepse nuk dihet se ku do të gjenden. 2-3 mund të jenë shkodranë që kanë luajtur me ekipet e tjera, 2-3 të tjerë mund të merren nga ekipi U-19 i Akademisë Vllaznia që pak kohë më parë u shpall kampion i Shqipërisë. Megjithatë, sërish numri i lojtarëve sërish nuk plotësohet dhe për këtë arsye duhen patjetër ndërhyrja në merkato edhe për 5-6 lojtarë të tjerë. Se ku do gjenden ato, ende nuk është shumë e qartë. Me shumë mundësi trajneri Cungu do të ketë në mendje një listë lojtarësh që ka ndër mend t’i marrë në skuadër për sezonin e ri. Kjo natyrisht që nuk do të jetë e lehtë megjithatë nga sa shihet, edhe Vllaznia e sezonit të ri nuk do mund të bëjë dot pa “jabanxhinj”.

© shkodrasport.com