Në futboll jemi mësuar që futbollistët t’i njohim nga pozicionet që mbajnë në fushë. Të gjithë e kemi të qartë se kush është portieri, mbrojtësi, mesfushori apo dhe sulmuesi. Por ka edhe ndryshe.Bekim Balaj e ka nisur karrierën e tij si portier por më pas, në një ditë të zakonshme, një nga trajnerët që ka punuar me të tek moshat e Vllaznisë, pikërisht ish-kapiteni i saj Astrit Prençi, e provoi në sulm dhe aty mbeti.

Madje duke bërë një karrierë të suksesshme me shumë ekipe klubesh dhe me kombëtaren shqiptare. Historia duket se përsëritet. Sërish kemi të njëjtin trajner që provon fatin ndryshe në fushë të një futbollisti tjetër shkodran. Bëhet fjalë për mbrojtësin e kombëtares U-19 të kombëtares shqiptare por edhe të Akademisë Vllaznia, Enes Isufi. Ai ka filuar para disa vitesh të luajë si sulmues por Prençi e ka kthyer në mbrojtës. Pozicion në të cilin po luan shumë mirë. “Shndërrimin” nga sulmues në mbrojtës, e bën të ditur vetë Isufi kur për gazetën “Shkodra Sport” shprehet: “Unë në fakt, si gjithë fëmijët e tjerë, kam nisur të luaj futboll si sulmues ngaqë dëshiroja të bëja gola. Por në një ndeshje, na mungoi një mbrojtës dhe trajneri që kisha në atë periudhë, Astrit Prençi më aktivizoi mua në qendër të mbrojtjes. Më duket se luajta mirë dhe prandaj pas ndeshjes presori më tha se më mirë të luaja në mbrojtje. Iu binda dhe në fakt gjërat më kanë shkuar mirë, prandaj dhe nuk jam penduar për këtë zgjedhje që kam bërë”. Sigurisht që nuk ka pse të pendohet. Vetëm 16 vjeç e gjysëm dhe është titullar me Vllazninë U-19 ku ka luajtur shumë mirë dhe jo më kot është grumbulluar në kombëtaren e kësaj grupmoshe nga trajneri Bogdani dhe në turneun e fundit që kombëtarja zhvilloi në Itali, Enes Isufi ka qenë titullar në fushë në të gjashtë ndeshjet e zhvilluara. Me siguri që këtë futbollist e pret një e ardhme e sigurtë dhe zgjedhja e bërë për t’u shndërruar nga sulmues në mbrojtës, mund t’i ketë ndryshuar atij karrierën.

© shkodrasport.com