Dikush feston titullin e parë në historinë e tij, dikush tjetër priti titullin e 10-të kampion për të vënë yllin e parë në fanellë (është një shenjë treguese në sport kur një ekip fiton 10 herë titullin kampion të atij vendi). Në fakt ka patur edhe ekipe të tjera më Shkodër që e kanë vënë tashmë edhe yllin e dytë në fanellë siç është ekipi i boksit të Vllaznisë që një vit më parë festoi titullin e 20-të kampion. Në Shkodër është krijuar në fakt ideja dhe perceptimi se boksi nën drejtimin e të mirënjohurit Zef Gjoni, duhet të jetë sporti më i titulluar në klubin Vlaznia.

Por më fakt nuk na rezulton kështu. Ekipi me më shumë trofe është ai i atletikës së meshkujve të klubit shkodran. Me titullin kampion të fituar dje më Elbasan, atletët e Vllaznisë e kanë çuar në 21 numrin e tyre. Vërtetë shumë megjithatë kemi të bëjmë me një sport ku ka një dominim absolut prej vitesh dhe titulli i djeshëm madje ka qenë i nënti rradhazi për të. Atletika kësisoj është në vend të parë në këtë drejtim, duke lënë boksin me 20 tituj kampionë në vend të dytë dhe në vend të tretë kemi të bëjmë sërish me një ekip të atletikës, atë të femrave të cilat kanë fituar 15 tituj kampionë në vitet ’60’- ’70 nën drejtimin e trajnerit të madh Feti Dizdari. Në këtë mënyrë, sporti i atletikës, jo më kot i quajtur edhe “mbretëresha e sporteve”, është sporti më i titulluar me trofe në klubin Vllaznia. Nëse femrat kanë shkëlqyer 4-5 dekada më parë, meshkujt dominimin e tyre e kanë kryesisht pas viteve ’90.

© shkodrasport.com