Lorik Cana, ish-mbrojtësi i Lacios, PSG-së, Marsejë etj. ka folur për luftën e titullit në Serinë A.

“Interi për mua mbetet favoritja për të fituar titullin kampion. Zikaltrit janë një garanci, kanë humbur sulmuesin më të mirë Lukakun, por edhe Xheko është një bomber me shumë vlera. Më pas humbën dhe Hakimin, por këto mungesa i mbulon Inzagi, i cili luan me të njëjtin modul si Antonio Konte, ndaj kanë shumë avantazhe. Gjithsesi të mos harrojmë Juven, pasi një skuadër si ato nuk mendoj se dorëzohet lehtë dhe do të provojë të ringrihen. Më pas mes Romës, Lacios dhe Napolit do të jetë një luftë e barabartë. Aventura ime në Serinë A?

Unë mbërrita në 2011-ën, kur ishte Milani kampion Italie. Më pas Antonio Konte nisi ciklin e tij fitues me Juven, që u pasua për shumë vite, ndonëse sivjet më shumë se kurrë nuk kuptohet se kush është top treshja e kampionatit”, tha “Luftëtari” dhe ish-kapiteni i Kombëtares së Shqipërisë.

Të bëjnë “bis” është edhe qëllimi i zikaltërve, që do të presin Bolonjën në “San Siro’ për ndeshjen e javës së katërt të Serisë A, aty ku Inzagit do t’i duhet të hedhë në fushë një formacion të freskët fizikisht dhe mendërisht. Për këtë trajneri po shqyrton idenë e debutimit të dyshes Korrea-Lautaro dhe rrotacionit në repartet e tjera.