Sukseset për boksierët shkodranë nuk kanë fund për vitin 2011. Pasi janë shpallur më të mirët në vend, pasi kanë përfaqësuar denjësisht Shqipërinë në Kampionatin Botëror, pasi i kanë dhuruar dy medalje të arta Shkodrës në turneun e rëndësishëm “Gongu i Artë” i Maqedonisë, vijnë edhe dy suksese të tjera. Janë sërish dy boksierët, Asmer Bilali dhe Kristian Demaj që kanë triumfuar edhe në kupën “Adem Jashari” që u zhvillua për dy ditë me rradhë në Prishtinë dhe Ferizaj të Kosovës. Ata i kanë sfiduar kundërshtarët e tyre, në peshat respektive 69 dhe 91 kg duke zënë vendet e para dhe duke merituar edhe medaljet e arta sërishmi.Bilali në finale ka fituar ndaj një boksieri kosovar që jetonte në Gjermani, madje e ka detyruar atë të tërhiqet. Ndërsa Demaj ka mundur në finale një boksier nga Mali i Zi.Ndërkohë boksieri tjetër shkodran pjesmarrës në këtë aktivitet, Nelson Hysa që garonte në peshën +91 kg, është mundur në gjysmëfinale nga një boksier nga Sllovenia duke mos arritur dot të hyjë në finale. Përveç Bilalit dhe Demës, figurë të mirë në kupën “Adem Jashari” kanë bërë edhe dy boksierët e tjerë të ekipit tonë kombëtar, tiranasit Serxhio Sina dhe Alban Barmeta që kanë zënë edhe ata vende të para.