Bledi Shkëmbi gati të riveshë sërish tutat e trajnerit. Por tanimë në funksion të ekipeve kombëtare.Tekniku korçar, pas një sërë eksperiencash në drejtimin e klubeve si Teuta dhe Dinamo në Shqipëri, apo dhe Lirisë e Ballkanit në Kosovë, pritet të marrë drejtimin e përfaqësueses shqiptare të 19-vjeçarëve.
Shkëmbi pritet të japë eksperiencën e tij në skuadrën që deri tani është drejtuar nga Ervin Bulku. Pasi ka gjetur akordin me FSHF teksa mungon vetëm zyrtarizimi.
44-vjeçari është gati në këtë mënyrë t’i rikthehet profesionit të trajnerit, me një përgjegjësi jo të vogël mbi supe siç është drejtimi i një prej kombëtareve zinxhir.
Ku eksperiencat e tij të mëparshme si trajner e padyshim edhe si një ndër futbollistët më të spikatur të brezit të tij, do ta ndihmojnë për rritjen e shëndetshme të talenteve kuqezi në shërbim të kombëtares A.
Me lajmin që pritet të zyrtarizohet nga FSHF, nuk përjashtohet që të ketë edhe lëvizje të tjera për sa i përket drejtimit në kombëtaret e moshave. Një prej prioriteteve absolute te Federatës Shqiptare të Futbollit.