Vllaznia vijon me stërvitjet, në kuadër të përgatitjeve për ndeshjen e së nesërmes ndaj Partizanit, duke nisur nga ora 16:00 në stadiumin e “demave”. Kjo sfidë vjen pas pushimeve të fundvitit, pikërisht me fitoren e fundit në kampionat ndaj Teutës me një rezultat të thellë dhe natyrshëm atmosfera në skuadër është shumë e mirë.

Në këtë sfidë ndaj Partizanit, Vllaznia do të shkojë sërish me disa mungesa. Liridon Latifi dhe Darko Bulatoviç ditët e fundit janë stërvitur të veçuar. Kosovari vuan prej më shumë se tre muajsh një problem muskulor dhe vazhdon të jetë i impenjuar me një program individual, duke mos qenë i gatshëm për t’u stërvitur me grupin. Këtë javë, ai ka bërë vetëm disa vrapime të lehta dhe më pas, është marrë me ushtrime me dhe pa top.

Nga ana tjetër, Bulatoviç këtë javë ka pasur ditët e para të stërvitjes dhe ka bërë vetëm disa vrapime rreth fushës. Poashtu, edhe sulmuesi kroat Ante Aralica ka shfaqur probleme dëmtimi. Të tre nuk do të jenë të gatshëm për ndeshjen e nesërme ndaj Partizanit, shto këtu pastaj edhe mungesën e Marko Juriç, i cili ka plotësuar numrin katër të kartonëve të verdhë dhe i duhet të bëjë një javë stop në kampionat.

Megjithatë, ka edhe lajme pozitive. Dajan Shehi këtë javë është rikthyer të stërvitet normalisht pas disa ditësh. Ditët e fundit të vitit të kaluar, ai ka pasur një gjendje problematike për arsye dëmtimi, teksa kujtojmë këtu se mungoi edhe në ndeshjen e fundit në kampionat ndaj Teutës. Sa i takon stërvitjes, futbollistët gjatë mini-ndeshjes së zhvilluar shfaqën shumë grintë dhe dëshirë.
Maringlen ZHIVANI