Pavarësisht zhurmës që ishte krijuar rreth tij, Baldo Raineri duket se do të vazhdojë të jetë sërish trajner i Vllaznisë. Ai në fakt, nisur edhe nga ajo çfarë ka dëgjuar të flitet rreth tij këto ditët e fundit, pas ndeshjes me Kukësin e kishte pranuar që ishte shumë pranë shkarkimit. Por në fakt nuk do të ndodhë kështu.
Ditën e enjte pritej që të zhvillohej mbledhja e Bordit Mbikëqyrës të klubit e paralajmëruar për të marrë në diskutim fatin e trajnerit por nuk ka ndodhur kështu. Kryetari i këtij Bordi Xhevdet Amuli ka bërë të ditur se nuk do ketë mbledhje dhe për çështjen e trajnerit do të vendosë presidenca. Presidenca në këtë rast është kryebashkiaku Lorenc Luka dhe ai do jetë njeriu që do të vendosë për këtë çështje. Por në fakt, numri 1 i Bashkisë Shkodër ka qenë vazhdimisht një nga njerëzit mbështetës të trajnerit italian dhe ka të ngjarë të mos vendosë për shkarkimin e Rainerit. Barazimi i fundit me Kukësin ka normalizuar disi situatën dhe për më tepër Vllaznia është në prag të ndeshjes së rradhës me Apoloninë e cila është shumë e rëndësishme dhe ndryshimi i trajnerit në këtë periudhë nuk do ishte shumë normale. Kjo ngaqë klubi nuk ka as një zëvendëstrajner që e njeh mirë skuadrën dhe mund t’i besohet atij drejtimi i skuadrës e për këtë arsye, nuk mendohet të ketë ndonjë zhvillim tjetër. Raineri në këtë mënyrë pritet të vazhdojë punën tek Vllaznia sepse ka qenë i vendosur për ta bërë këtë gjë ngaqë mendon se ka ende se çfarë t’i japë kësaj skuadre.
© shkodrasport.com