Peshëngritësi shqiptar, Briken Calja, nuk ka mundur dot të hyjë në zonën e medaljeve pas garimit në kampionatin botëror të peshëngritjes, që po zhvillohet në Anaheim të SHBA-së. Shqiptari në fakt e nisi mirë garën në orët e para të mëngjesit me orën tonë lokale, duke realizuar me sukses provat e para si në stilin e shtytjes ashtu edhe në atë të shkëputjes. Gjithsesi, Calja nuk ia doli mbanë në provat e tjera. Calja do ta mbyllte konkurrimin e tij duke u pozicionuar në vendin e 4-t në shkëputje, me 142 kg të ngritura dhe në vendin e 5-të në shtytje, me 175 kg të ngritura.

Në dygarësh shqiptari u rendit i 4-ti me 317 kg, ndërkohë që duhet theksuar se vendi i 3-të ngriti 318 kg në dygarësh.Me pak fjalë, Briken Calja mbeti jashtë zonës së medaljeve për vetëm 1 kg, por sidoqoftë, ky rezultat mund të quhet i suksesshëm për shtangistin shqiptar.  Një ditë më parë në Botëror garoi Evangjeli Veli, e cila u rendit e 8-a në botë. Sot pritet që të konkurrojnë edhe Krenar Shoraj, Romela Begaj dhe Erkand Qerimaj. Shpresat për medalje janë pikërisht te ky i fundit, gara e te cilit do te nise ne oren 21.00 dhe do te transmetohet drejteperdrejte ne ekranin e Televizionit Publik Shqiptar.