Në pesë ndeshjet e para të kampionatit ka qenë i mrekullueshëm. Shënoi në të gjitha dhe me 5 në 5 ndeshje, ishte golashënuesi më i mirë i kampionatit. Dhe jo vetëm kaq sepse me golat e tij u shndërruar në një protagonist të rëndësishëm për Vllazninë duke i dhënë pikët e duhura që ajo të krijonte shkëputjen nga rivalet e saj.

Pra, ka shënuar nga një gol në ndeshjet ndaj Korabit, Burrelit, Dinamos, Besëlidhjes dhe Veleçikut. Këtë të fundit më 6 tetor të këtij viti. Që prej asaj dite, nuk ka shënuar më asnjë gol. Arsyet mund të jenë të shumta, ndoshta edhe mungesa e fatit në shumë raste.

E provoi madje edhe në ndeshjen e fundit ndaj Korabit ku Gocaj i dha mundësinë që ta godiste ai 11-metërshin e fituar dhe sërish nuk arriti ta dërgonte topin në rrjetë. Çfarë po ndodh me Junior? Ndoshta as ai vetë nuk di ta shpjegojë këtë situatë. Në javët e para të kampionatit kur po shënonte rregullisht, menjëherë dolën lajme se ekipe të Superligës “i kishin hedhur grepat” dhe dëshironin ta merrnin.

Madje që në janar. Por tashmë që nuk po shënon, askush nuk i përmend më këto oferta. Megjithatë 24 vjeçari është i bindur se do të kthehet sërish tek goli. Të njëjtën bindje kanë edhe pjestarët e stafit teknik sepse ia njohin mirë vlerat. Ndoshta duke filluar nga ndeshja e kësaj jave me Burrelin.

Sepse për koinçidencë i takon nisja e serisë së tretë të pesësheve të luajtura. Në pesë të parat shënoi rregullisht, në pesë të dytat asnjëherë dhe ndoshta në këtë pesëshen e tretë do të gjejë sërish golin.

Vllaznia ka nevojë për kontributin e tij dhe me siguri që Silvio Rodriguez Pereira Junior do të dijë t’ia shpërblejë këtë gjë.
© shkodrasport.com