Trajnerin e Vllaznisë, Thomas Brdariç, nuk e kanë mbajtur dot nervat në pjesën e dytë të ndeshjes së skuadrës së tij kundër Skënderbeut.

Tekniku i shkodranëve, i dënuar me një ndeshje pezullim, ka ndjekur sfidën nga tribuna e stadiumit të qytetit të Korçës, por nuk është përmbajtur në protestat kundër gjyqtarit Laver Alla.

Pasi pa skuadrën e tij të mbetej me 10 lojtarë, për karotinën e kuq të Zogoviçit, Brdariç kontestoi ashpërsisht gjyqtarin në vendimet e tij të dyshimta në vijim. Në një moment, siç shihet në videon e siguruar nga “Panorama Sport”, ai u ngrit në këmbë duke bërë me gjeste e lëshuar sharje të njëpasnjëshme në anglisht “Fu*k you, fu*k you”, drejtuar gjyqtarit kryesor të sfidës.

Në prononcimin e dhënë për “Panorama Sport” trajneri Brdariç u shpreh i bindur se penalltia dhe kartoni i kuq nuk ishin, edhe pse u falën lojtarë të Skënderbeut.

“E dinim që do të ishte një ndeshje e vështirë pasi luanim ndaj një ekipi që do të bënte gjithçka për të mos dalë pa pikë nga kjo ndeshje. Ndeshja ka qenë shumë e luftuar dhe e mbushur me emocione dhe mund të përgëzoj të dyja ekipet për gjithçka sa dhanë.

Takime të tilla është mëkat të prishen nga gjykimi i arbitrave. Unë mendoj se ishim të përqendruar në momentin kur arritëm të përmbysnim rezultatin. Ajo për mua nuk ishte penallti, madje edhe ai karton i kuq tërësisht i patolerueshëm. Pse nuk nxori edhe një lojtar nga Skënderbeu me kartonin e kuq nëse e dha atë për ne? Penalltia ishte qesharake.

Nëse mund të jepet ajo penallti atëherë duhet të japësh 25 të tjera në këtë takim, pasi ka qenë një prekje e lehtë dhe jo përcaktuese për të dhënë atë penallti.

Një pikë për ne normalisht që nuk është maksimumi që kërkonim. Por ka ende ndeshje përpara. Ne jemi të vendosur që të shohim përpara dhe jo prapa, prandaj duhet të fillojmë të mendojmë për ndeshjen e radhës”, u shpreh i nervozuar trajneri i Vllaznisë, Thomas Brdariç.