Nis të marr formë ekipi i Adës. Ndonëse para pak ditësh ai ishte thuajse i shkrirë krejt, tashmë me konfirmimin e pjesmarrjes në kategorinë e dytë, ka nisur puna edhe për ndërtimin e skuadrës. Puna e parë që ka bërë presidenti Alfred Pjetri është padyshim përzgjedhja e stafit teknik. Në sezonin e ri, Adën do ta drejtojë dyshja e përbërë nga Ersi Çaku dhe Etrit Nika. Por përveç tyre, tashmë velipojakët kanë edhe një drejtor teknik. Ai është Kujtim Shaba, një emër i njohur jo vetëm për Vllazninë por edhe për atë se para dy sezonesh, e ka drejtuar për disa muaj Adën.

Lajmin për këto emërime e ka bërë të ditur vetë presidenti Pjetri që për gazetën “SHKODRA SPORT” do të shprehej: “E nisëm me vonesë punën ngaqë kishim shumë paqartësi për të ardhmen megjithatë tashmë jemi vënë në rrugën e duhur. Hapi i parë ka qenë përzgjedhja e stafit teksa trajnerë do jenë dyshja Çaku- Nika që e njohin mjaft mirë këtë ekip ndërsa e veçanta është rikthimi sërish tek Ada i Kujtim Shabës në postin e drejtorit teknik. Jemi me vonesë teksa vetëm pak ditë na ndajnë nga ndeshja e parë me Tirana B megjithatë do të mundohemi të bëjmë më të mirën në këtë takim të parë sepse në ndeshjet e ardhshme pastaj besoj se keni për të parë në fushë një skuadër krejt ndryshe”.

© shkodrasport.com