Me konfirmimin e trajnerit, Emiljano Çelës i është hapur drita jeshile edhe rinovimeve të kontratave te Kastrioti.

Dëshira e trajnerit është që të qëndrojnë të gjithë lojtarët, por disave prej tyre u ka skaduar kontrata dhe aktualisht janë të lirë. Emra si Bedri Greca, Armando Rami, Henri Okebugu dhe Spartak Ajazi kanë marrë një ofertë nga klubi për të rinovuar.

Janë lojtarët ata që aktualisht po shqyrtojnë ofertën e Kastriotit dhe pritet që në ditët në vazhdim të japin edhe përgjigjen përfundimtare, nga ku gjasat janë që pjesa më e madhe e tyre të jetë sërish me krutanët edhe për një sezon.

Sa i takon merkatos në hyrje, aktualisht nuk ka asnjë lëvizje zyrtare, por në klub flitet se do të ketë afrime të goditura. Drejtuesit nuk duan të nxitohen për të dhënë emra pa u mbyllur marrëveshjet.

Ndërkohë, krahas trajnerit Çela të konfirmuar tri ditë më parë, në krahun e tij do të vijojë të jetë edhe Bekim Kuli, i cili e ndihmoi gjatë gjysmës së sezonit të shkuar.

Zëvendëstrajneri kavajas do të jetë në staf edhe për një sezon, ndërsa krejt e kundërta ka gjasë të ndodhë me trajnerin e portierëve Blendi Baholli, i cili ka marrë disa oferta nga klube të tjera dhe me shumë mundësi mund të lëvizë nga krutanët.