Kur ka mbetur edhe më pak se një muaj nga fillimi i kampionatit të ri, ekipi i Vllaznisë tashmë ka nisur të marrë formë. Me ardhjen e Orelesit, edhe reparti i mbrojtjes për momentin duket i kompletuar ndërkohë që reparti i mesfushës konsiderohet i mbipopulluar. Të vetmit probleme tashmë të mbetura dhe që kërkojnë zgjidhje, janë ato të sulmit dhe të portës.
Sa i takon sulmit, drejtuesit e klubit shkodran pas konsultave edhe me stafin teknik mesa duket kanë rënë dakord që të firmosin me sulmuesin ganez Çarls Atsina, që njëkohësisht ka edhe pasaportë italiane. 28 vjeçari ka disa ditë që është në provë tek Vllaznia dhe përgjithësisht ka lënë përshtypje të mira. Sidomos në miqësoren ndaj Kastriotit, ku dhe shënoi një gol, ai ka treguar shenja pozitive se mund të jetë sulmuesi kryesor i kuqebluve në sezonin e ri. Megjithatë mbetet për t’u parë nëse prova e tij do të vazhdojë edhe ndonjë ditë tjetër apo do kalohet tek firmosja e kontratës me të. Gjasat janë që të ndodhë kjo e fundit sepse në fakt, shkodranët janë të detyruar të marrin një sulmues ngaqë aktualisht trajneri Cungu ka në dispozicion vetëm 19 vjeçarin Pusi për këtë repart. Ndërkohë dy ditët e fundit po flitet shumë edhe për mundësinë e marrjes së shkodranit Erjon Vucaj që është larguar nga Laçi. Nuk ka asnjë konfirmim nëse ka patur bisedime në mes tij dhe drejtuesve të Vllaznisë të cilët në fakt po hezitojnë për këtë futbollist, jo nisur nga vlerat që posedon por sepse reparti i mesfushës ku ai luan, është i mbipopulluar. Vëmendja e tyre është e përqendruar tek gjetja e një portieri tjetër apo dhe e ndonjë mbrojtësi apo sulmuesi. Tashmë merkatoja po shkon drejt fundit dhe skuadra shkodrane mund të bëjë edhe një apo dy përforcime maksimumi.
© shkodrasport.com