Çiklistët e Vllaznisë kanë bërë një tjetër paraqitje të mirë dhe kanë dominuar edhe në garën e dytë të këtij viti, pikërisht në kupën “26 Marsi”, aktivitet ky i zhvilluar nga Federata Shqiptare e Çiklizmit në bashkëpunim me Bashkinë Kavajë.

Itinerari i saj ka qenë Kavajë-Fier-Kavajë, 110 km e gjatë dhe ndonëse çiklistët e Vllaznisë kanë patur edhe probleme, ata sërish kanë arritur të zënë katër vende nderi.

Gjatë vajtjes, çiklistët Marçelo Kola dhe Samuen Bajrami janë rrëzuar në rrethrrotullin e Lushnjës dhe pak më tutje edhe çiklisti tjetër Defrim Dholla ka pësuar difekt.

Sikur të mos mjaftonin këto gjëra, edhe çiklisti Bruno Kola ka patur një difekt të rëndë pikërisht në finishin e Kavajës duke mos arritur dot të shpallej fitues por duke u mjaftuar me vendin e tretë.

Megjithatë të 110 km e garës kanë qenë të dominuar nga çiklistët shkodranë të cilët gjatë gjithë kohës kanë qenë në krye të grupit dhe për rrjedhojë edhe në fund kanë qenë ndër më të mirët.

Kështu, me seniorët, fitues është shpallur Ylber Sefa, ndërsa për kategorinë U23 fitues është shpallur çiklisti i Apolonisë Blerton Nuha, duke lënë në vend të dytë dhe të tretë, çiklistët e Vllaznisë Astrit Kronaj dhe Bruno Kola.

Në kategorinë e juniorëve, fitues është shpallur çiklisti i Vllaznisë Samuen Bajrami që është treguar më i shpejti nga të gjithë dhe duke u renditur i pari.

Edhe në kategorinë e kadetëve, 14 vjeçari Mateo Balaj ka bërë një tjetër paraqitje të mirë duke u renditur sërish i dyti edhe në këtë garë, ashtu si pak ditë më parë në trofeun “Tirana”. Duket se për të, vendi i parë është thjesht çështje kohe dhe me siguri që në garat e ardhshme do të ngjitet në podium si fitues.
© shkodrasport.com