Dy vjet pas fitimit të Kupës së Shqipërisë, Klodian Duro rikthehet sërish në stol, këtë herë nën drejtimin e Kamzës, me të njëjtën energji dhe dëshirë për të bërë mirë siç bëri dhe te Kukësi.

I prezantuar përpara mediave nga drejtori sportiv i klubit, Andi Matraxhiu, Duro falënderoi drejtuesit për besimin e dhënë, duke shprehur bindjen se do të bëjë më të mirën për të përmbushur dhe pritshmëritë e tyre.

“Doja të falënderoja presidentin për besimin që më është dhënë. Ndeshjet e para i kam ndjekur dhe kam mbetur i kënaqur me ç’ka ka paraqitur ekipi në fushë. Ne shohim për më lart, pse jo të arrijmë edhe Europën.

Sipas Duros, fakti që Kamza është një ekip i konsoliduar ia bën më të thjeshtë detyrën, por hapat duhen hedhur të kujdesshëm, për të mos patur surpriza si të vitit të shkuar, kur, nga zona europiane, ekipi e gjeti veten duke luftuar për mbijetesën.

Nuk ishte një vendim i vështirë të merrja përsipër Kamzën. Ka një ekip të plotë, stabilitet në lojë, por edhe rezultatet nuk është se kanë çeduar shumë. Ambiciet e Kamzës janë për më lart.”

Një ndër veçoritë e Duros si lojtar ka qenë gjithmonë dëshira për të fituar, cilësi që nuk e ka humbur as si trajner dhe këtë e bëri të qartë dhe kur nuk pranoi krahasimet me trajnerët e rinj të Superiores, duke thumbuar në distancë dhe Bledi Shkëmbin e Teutës, skuadra e të cilit me fitoren ndaj Kamzës solli dhe shkarkimin e Bledar Devollit.

Në 2016 kur fitoja Kupën e Shqipërisë Shkëmbi nuk e kishte nisur karrierën e trajnerit. Unë jam në sfidën e dytë, të cilën besoj do ta mbyll me sukses. Shkëmbit i uroj pa dyshim sukses, por më vjen keq që është luajtur ndeshja me Teutën. Do të kemi mundësi të përballemi edhe tre herë të tjera.

Si një fantazist në fushë dhe si trajner, Duro kërkon një futboll të bukur, duke shpalosur dhe ato që janë idetë e tij për lojën e ekipit.