Pesë titullarët e larguar nga Veleçiku nuk është se janë larguar për këtë arsye. Ato janë përjashtuar nga drejtuesit e klubit. Dhe arsyeja pse ka ndodhur kjo është se kanë kërkuar djersën e tyre.

Një gjë të tillë e bën të ditur një nga “të përjashtuarit”, pikërisht sulmuesi kryesor Denis Çokaj. Në një prononcim për “Shkodra Sport” ai do të shpjegonte në mes tyre dhe drejtuesve:

“Kemi filluar stërvitjen më 1 gusht dhe u bë një muaj që ishim duke djersitur por askush nuk po na thoshte se çfarë do të bëhej me kontratat tona. Në këto rrethana, morëm vendimin që të mos dilnim në stërvitje pa ardh një drejtues i klubit për të na dhënë një zgjidhje.

Kur papritmas na thanë se jeni të përjashtuar!!! Një vendim i çuditshëm që na gjeti të papërgatitur. Ku të shkojmë tani kur janë mbyllur listat e federimit të çdo ekipi.

Një veprim i tillë na ka zhgënjyer pa masë. Unë dhe shokët e mi nuk kemi kërkuar asgjë më shumë vetëm djersën tonë, djersën e derdhur një muaj në stërvitje.

Unë doja thjesht të flisja me një drejtues klubi për të marrë një zgjidhje të këtij problemi dhe vetëm për këtë gjë më përjashtuan”.

I pyetur nëse mendon se meritonte më shumë respekt për atë çfarë ka dhënë në vite për Veleçikun, Denis Çokaj përgjigjet: “Normal që meritoja më shumë respekt.

Kam kontibuar për ta ngjitur këtë ekip dy herë në kategorinë e parë, kam luajtur disa vite pa lekë dhe kur vjen puna, më largojnë në një mënyrë aspak të denjë. Ku të shkoj tani? Largimi ynë më duket se ka qenë pretekst sepse drejtuesit mesa duket nuk kanë ndër mend të bëjnë ekip”.
© shkodrasport.com