Partizani ka fituar 0-1 me Bylis në stadiumin “Adush Muça”, me sfidën që vlente për javën e tretë të Superligës. Ndeshja e zhvilluar pasditen e së shtunës është vendosur nga një gol i Skukës në minutën e 30.

Një skemë perfekte e Partizanit me Da Silvën në zhvillimet e një goditje të lirë, ka bërë që Skuka të dalë vetëm me Haremin, duke mos e pasur të vështirë të kalojë miqtë në avantazh.

Megjithë sulmet e Bylis në 10 minutat e fundit, rezultati mbeti pa ndryshuar. Pas tre javësh, Partizani mban kreun me 9 pikë. Tre fitore në tre ndeshjet e para të sezonit ka bërë që Partizani të thyejë rekorde. Nga ana tjetër, Bylis me 4 pikë mban vendin e pestë.

Pas ndeshjes për Oversport foli trajneri i Partizanit, Giovanni Colella.

“Tre fitore në tre ndeshje – Jam i kënaqur me pikët në këtë fillim sezoni. Sot nuk bëmë një ndeshje të mirë, nuk më ka pëlqyer asgjë. Nuk më pëlqeu skuadra, në pjesën e parë bëmë më mirë, në të dytën jo.

Zëvendësimet – Dëmtimi i Massanga bëri që të reflektojmë, dogjëm zëvendësimet shpejt dhe lojtari u dëmtua duke mbetur me një lojtar më pak. Duhet të përmirësohemi.

Skema – Diçka që e kemi provuar në stërvitje, kemi mundësi për të bërë më mirë.

Për çfarë nuk jeni i kënaqur, specifikisht – Në pjesën e dytë asgjë, asgjë asgjë. Nuk kam çfarë të them. Nuk më pëlqeu. Mjaft. Sot skuadra nuk ishte mirë, nuk ishte mirë edhe trajneri. Shumë gjëra nuk shkuan si duhet.

Nuk jam supersticioz, është injorancë nuk ka lidhje që kam mbajtur një uniform në tre ndeshje. Mbaj përgjegjësi për gjendjen e skuadrës”, tha Colella.