Partizani fitoi 2-1 dje me Laçin për javën e 27 të Superligës. Dueli i zhvilluar në “Elbasan Arena” kishte prani të pakët tifozësh, teksa kjo gjë s’ka penguar që të mos ketë probleme me ta.

Në fund të sfidës, një nga tifozët e Laçit s’e ka kapërdirë humbjen e radhës, duke ofenduar lojtarët e ekipit që bën tifo. Kaq ka mjaftuar që gjakrat të ndizen, ndërsa më i revoltuar ka qenë Julian Shehu.

Mesfushori është ngjitur në tribunën kryesore, duke u përleshur edhe fizikisht me tifozin. Është dashur ndërhyrja e sigurisë dhe tifozëve të tjerë, që gjendja të qetësohej.

Pas ndodhisë, presidenti Pashk Laska është munduar të kuptojë acarimin e Shehut, duke qëndruar me këtë të fundit për disa minuta, teksa e ka qetësuar.