Zhurma e krijuar pas ndeshjes me Kukësin apo dhe deklaratat pas saj, sigurisht që kanë dhënë ndikimin e vet tek Vllaznia. Natyrisht që kjo gjë nuk i ka pëlqyer pjestarëve të saj sepse u vu në diskutim edhe karakteri i futbollistëve dhe i trajnerëve. Jo më kot, Armando Cungu vazhdon të jetë tejet i irrituar me deklaratat që ka dëgjuar dhe për këtë arsye, “betohet” në ndershmërinë e tij duke thënë se ai as nuk shitet dhe as nuk blihet sepse nuk ka çmim për ta bërë këtë gjë. “Jam munduar të jem i qetë gjatë gjithë këtyre ditëve dhe po ashtu, të mbaj edhe futbollistët larg kësaj zhurme. Por dua t’u përgjigjem gjithsëcilit atyre që kanë tentuar të lakojnë emrin e Armando Cungut dhe të Vllaznisë për allishverishe në futboll. Po ju garantoj se është një ekip që çdo gjë e ka marrë me djersë në fushën e lojës dhe me pastërtinë më të madhe. Për këtë, unë si trajner jam shumë krenar, ashtu si i gjithë klubi, për këta djem. E dyta, dua t’i bëj me dije të gjithëve se Armando Cungu as nuk shitet dhe as nuk blihet me asnjë çmim. Kjo sepse unë nuk kam çmim dhe askush nuk është i zoti të më blejë, këtë ta kenë të qartë të gjithë. E treta, ka zëra kryesisht me mentalitet provincial prej të cilëve dëgjon çdo gjë. Kuptohet se jetojmë në Shqipëri dhe këtu gjithçka ndodh. Të jesh njeri, të jesh korrekt, të jesh profesionist, këtu quhet antivlerë dhe anasjelltas. Besoj se ne kemi të gjithë të drejtën e Zotit që edhe ne të luajmë për dinjitetin tonë, për familjet tona, për fanellën tonë, për qytetin tonë. Këtë gjë ka bërë Vllaznia. Nëse do të kishim humbur, do të kishim qenë ekip i mirë dhe i ndershëm. Nëse kemi shkuar në Kukës për të marrë pikë për interesat tona personale të klubit Vllaznia sepse është një e drejtë morale ta kërkojmë një gjë të tillë, konsiderohemi ekip që qenkemi në aleanca me të tjerë dhe në pazare me të tjerë. Gjëra absurde kur unë dua të garantoj çdo shkodran dhe çdo dashamirës të futbollit se Vllaznia nuk ka pazar me askënd. Këta njerëz duhet të maten mirë kur të flasin për Armando Cungun dhe për Vllazninë”- është shprehur jo me pak nervozisëm trajneri i kuqebluve.

© shkodrasport.com