
Tre pikët e marra ndaj Korabit, i kanë dhënë atij qetësinë e duhur. Armando Cungu e kishte konsideruar si shumë të rëndësishëm këtë takim dhe po ashtu, edhe jetik atë trepikësh ndaj dibranëve. Tashmë që kjo është realizuar, trajneri i Vllaznia ndjehet më i qetë. Por kuptohet që nuk ka shumë vend për festime sepse takimi i rradhës, ai me Skënderbeun, është në prag. Do të luhet ditën e dielë në orën 17.00 sërish në “Loro Boriçi” dhe kuqeblutë tashmë kanë nisur përgatitjet për të. Duke folur në lidhje me këtë sfidë, ai ka shprehur vlerësimin maksimal për kundërshtarin por edhe ka thënë se Vllaznia nuk do qëndrojë duarkryq. “Skënderbeu natyrisht që do të kërkojë të mbajë ritmin e sezoneve të kaluara dhe do të kërkojë fitoren me çdo kusht në Shkodër në mënyrë që të mos e humbë vendin e parë në renditje, por edhe ne nuk do qëndrojmë duarkryq. Do të bëjmë lojën tonë dhe do të kërkojmë maksimumin edhe kundër Skënderbeut sepse luajmë në fushën tonë dhe prandaj do tentojmë tre pikët. Në fund të fundit, do t’ia lëmë fushës së lojës dhe jo me deklarata. Unë kam shprehur herëpashere keqardhjen time sepse skuadra që unë drejtoj nuk ka treguar të njëjtin përkushtim në të gjitha ndeshjet njëlloj. Kuptohet që është pjesë e jetës sportive edhe ndonjë ditë e keqe, edhe ndonjë humbje sepse në fund të fundit, humb çdo ekip në Botë. Por e rëndësishme është që të dish të reagosh shumë shpejt dhe të ngrihesh në këmbë shpejt Këtu dallohet karakteri dhe pjekuria e një ekipi. Ne kemi treguar se mund të reagojmë edhe mirë por edhe jo prandaj duhet ta korigjojmë si duhet këtë pikë në mënyrë që të shohim në fushë atë skuadër që të gjithë dëshirojnë”- ka thënë trajneri Cungu.
© shkodrasport.com