Ish-futbollisti i Tiranës, Rezart Dabulla, është i mendimit se Reja nuk duhet të vijojë të jetë më trajner i Kombtares. I ftuar në studion e emisionin “Sport News” të moderatores, Trevisa Tufa, në “News 24”, Dabulla u shpreh:

“Shpresojmë që kampionati të mbarojë kështu siç është. Jemi të vonuar për këtë lloj Kombëtareje, duhej bërë më shpejt. Kjo Kombëtare në edicionin e kaluar nuk do bënte më keq se A. Duhet ta ndërrojmë trajnerin, për shkak të rezultateve dhe moshave. Duhet të gjejmë dikë për ta çuar në një stad tjetër Kombëtaren.

Reja është katastrofë, është moshë e madhe, ka plot trajnerë të tjerë nëpër botë më të mirë. U ftuan lojtarët nga Superiorja, se nuk i lenë klubet të vijnë ata nga jashtë.

Shanse ka për në Europian, po varet nga përqindja. Këtë do e tregojë fusha e lojës. Shorti që na ra në kompeticionin e fundit ishte më i favorshëm dhe nuk bëmë ndonjë gjë të madhe. Nuk ishim mirë në asnjë lloj drejtimi, nuk bëmë asgjë.

Ky tjetri që është, është i vështirë, ka ndeshje të vështira, me skuadra të forta. Në letër kemi shanse, por duhet parë sa të zotë jemi në fushën e lojës. Në praktikë nuk kemi qenë mirë. Ne nuk kemi lider”, u shpreh Dabulla.