Goli i shënuar të dielën ndaj Burrelit ka qenë i pari në një ndeshje zyrtare të tij me fanellën e Vllaznisë. Kishte shënuar edhe më parë, në miqësoren ndaj Shënkollit por fakti që ishte miqësore, nuk ka vlejtur shumë.

Për këtë arsye, pasi ka dërguar topin në rrjetën e portës matjane, mbrojtësi rumun Dan Ignat ka shpërthyer në festë. E ka ndarë gëzimin e këtij goli me shokët e ekipit, më pas ka vrapuar drejt pankinës duke festuar me trajnerin Lika e ndihmësin e tij Lekiqi dhe po ashtu edhe me gjithë pankinën.

Një festim i ligjshëm sepse prej disa ndeshjesh ka qenë pranë golit por nuk ia kishte dalë dot. Ignat është shtatëlartë dhe luan mirë në lojën në ajër dhe goli ndaj Burrelit pikërisht në këtë mënyrë është shënuar, pas krosit nga e djathta, ka kërcyer saktë në zonë me kokë dhe e ka dërguar topin në rrjetë.

Duhet thënë se kemi të bëjmë me një lojtar me shumë përvojë i cili ka luajtur në shumë vende të botës dhe tashmë po shkon drejt fundit të karrierës, megjithatë përvojën tek Vllaznia e ka marrë me shumë dëshirë dhe po tregohet vërtetë profesionist në çdo ndeshje që luan me të.
© shkodrasport.com