Dashuria për futbollin nuk njeh kufij, por ndonjëherë ajo duhet të ndalet kur flitet për jetën. Futbolli ka ndaluar thuajse në çdo vend në botë, por jo në Vlorë. Policia ka kapur në flagrancë 10 persona që po luanin kalçeto. Ata thyen të gjitha rregullat, ndërsa mes tyre kishte dhe efektivë policie.

Njoftimi i Policisë së Shtetit

“Thyen orarin e karantinēs duke luajtur futboll në një fushë futbolli në pyllin e Sodës, Vlorë, ndëshkohen me masë administrative 10 persona.

“Karantinohen për 14 ditë, të 10 personat që u kapën duke luajtur futboll, të cilët do të mbahen nën mbikëqyrje nga ana e Policisë.

“Me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit pezullohet nga detyra Shefi i Seksionit të Qarkullimit Rrugor në Drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë, Komisar R. P., njëri nga pjesëmarrësit që luante futboll.

“Gjithashtu, nga Drejtoria e Standardeve Profesionale në Policinë e Shtetit nisi hetimi disiplinor për shkelje të rëndë, si dhe u bë pezullimi nga detyra i punonjësit të Policisë G. F., për mospërmbushje apo dështim në përmbushjen e detyrave ose përgjegjësive të caktuara, pasi konstatoi personat dhe nuk mori masë administrative ndaj këtyre shtetasve.

“Policia e Shtetit falënderon qytetarët për bashkëpunimin dhe apelon edhe njëherë për qëndrim në banesë dhe respektim të masave kufizuese, duke bërë të mundur parandalimin e përhapjes së COVID-19. Durim, bashkë do ia dalim!”, – shkruhet në komunikatë./telemedia/