Kastrioti arriti një fitore shumë të rëndësishme në javën e 16-të të Superligës përballë Teutës. Krutanët triumfuan në shifrat 2-0 përballë kampionëve në fuqi të vendit, duke bërë tashmë 11 pikë në renditje dhe duke shpresuar për mbijetesën. Por një rikthim i rëndësishëm dhe që ndikoi edhe në rezultatin pozitiv të Kastriotit ishte ai i Edon Hasanit.

Mesfushori shkodran pas disa kohësh u rikthye të ishte protagonist. Kjo pasi prej disa muajsh ka vuajtur një dëmtim të rëndë dhe koha e rikuperimit patjetër që ka qenë e gjatë. Por 30-vjeçari tregoi që në ndeshjen e parë të vitit 2022 se çfarë klasi zotëron. Çdo top i rrezikshëm në mesfushë kalonte nga këmbët e tij.

Vertikalizimet dhe pasimet për shokët e skuadrës ishin të panumërta. Jo më kot edhe në deklaratat pas ndeshjes së kolegëve të tij që u shprehën se Hasani është një armë plus për Kastriotin në këtë pjesë të dytë të edicionit. Mesfushori me eksperiencën e tij patjetër që do jetë një nga lojtarët kyç të krutanëve. Tashmë dëmtimi duket një kujtim i largët.

Patjetër që përvojat me skuadra si Vllaznia, Kukësi apo Tirana ku doli edhe kampion. Apo edhe eksperiencat jashtë vendit me ekipe si Sepahan, Poli Timisoara, Litex e bëjnë Hasanin një nga futbollistët me CV-ën më të pasur në kampionatin tonë. E vlerat e tij u treguan që me rikthimin e kampionatit në këtë javë të 16-të.
Endri ÇINARI