Rubin Hebaj humbet sfidën ndaj ishskuadrës së tij, Vllaznisë. Sulmuesi shkodran do të pushojë pikërisht në momentin kur pritej të luante titullar dhe shkas është bërë gjendja e tij shëndetësore. “Panorama Sport” mëson se Hebaj po kalon një gjendje gripale, duke ia bërë të pamundur stërvitjen me grupin. Nëse të enjten e zhvilloi pjesërisht seancën, dje sulmuesi nuk mori pjesë fare në të.

Stafi mjekësor ka kontrolluar futbollistin dhe bëhet fjalë për një virozë, teksa është këshilluar që të qëndrojë pushim të paktën tri ditë. Kjo ia bën të pamundur aktivizimin të dielën ndaj Vllaznisë, që është një ndeshje shumë e rëndësishme për vazhdimësinë e Teutës në kampionat. Pas hapit fals ndaj Luftëtarit, “djemtë e detit” kërkojnë me patjetër tri pikët në shtëpi, për të qenë sa më pranë zonës europiane.

Një lajm i mirë për Martinin është rikthimi i mesfushorit Arbër Çyrbja, i cili ka shlyer pezullimin dhe do të jetë i gatshëm ndaj Vllaznisë. Ndërkohë, vazhdon të mbetet në dyshim kapiteni Renato Arapi, mungesa e të cilit është ndier shumë në dy takimet e fundit. Dje qendërmbrojtësi bëri një rezonancë për të kontrolluar edhe një herë dëmtimin që kishte pësuar në kofshë.

Sinjalet nga mjekët janë pozitive, teksa situata është përmirësuar dukshëm, por nëse do të luajë apo jo ndaj Vllaznisë, gjithçka do të konfirmohet sot. Arapi do të stërvitet me grupin në seancën e fundit dhe aty do të shikohet nëse këmba i përgjigjet për të qenë gati ndaj shkodranëve. Në dy javët e fundit Teuta ka luajtur me dyshen Hoxha-Hreljiç në qendër.

PËRGATITJET – Para se të niste stërvitja e djeshme, trajneri Edi Martini ka mbledhur të tijtë në një analizë të gjatë. “Së pari, dua të jepni shpirtin në fushë, duke besuar te cilësitë që keni. Fitorja ndaj Vllaznisë vlen dyfish. Kemi barazuar një ndeshje decizive në shtëpi ndaj Luftëtarit, një gabim që nuk duhet të përsëritet në vazhdim, prandaj dhe duhet shumë kujdes.

Të tregojmë Teutën e vërtetë në këtë ndeshje. Duhet t’i vlerësojmë maksimalisht të gjitha takimet. Ju dua të mobilizuar në maksimum. Kam besim të madh se do të tregojmë forcën tonë në këtë ndeshje”, ka thënë ndër të tjera Martin