Zv.trajneri i Vllaznia u-17, Denis Zmijani ka komentuar së fundmi për ndeshjen miqësore që kuqeblutë zhvilluan kundër Kastriotit. Sipas tij kjo ishte një ndeshje për tu “nxehur” para takimit zyrtar me Partizanin.

Por Zmijani theksoi se ritmi i mungoi skuadrës, por dueli kishte edhe një fakt pozitiv. Ku ishte aktivizimi i të rinjëve që treguan me të vërtetë që dinë të luajnë futboll.

Zmijani tha: “Ndeshja miqësore me Kastriotin realisht që nuk na dha ndonjë paraqitje brilante. Skuadrës i mungoi ritmi dhe këtë e shoh problematike sepse është diçka që e ka shoqërua ekipin gjatë këtij edicioni. Prandaj besoj se aty duhet parë se çfarë nuk shkon pavarësisht se nuk mund të pretendosh ritëm edhe aq të lartë në një miqësore.

Por një fakt pozitiv është se të rinjtë që u aktivizuan treguan se kanë futboll. Dhanë sinjale shumë pozitive, madje nëse ka lojtarë aty që mund të diskutohet që mund të largohen, Vllaznia nuk do humbiste aspak duke parë se të rinjtë kanë cilësi. Madje do ishin një investim i mirë edhe për të ardhmen për të përfituar sportivisht dhe ekonomikisht.

Mendoj se aty ka elementë të rinj që nuk kanë asnjë lloj diference me disa nga lojtarët aktualë. Thjesht duhet bërë një menaxhim dhe promovim ndryshe i këtyre elementëve në Shkodër. Ku shikojmë Tiranën që ka shitur aq shumë nga akademia këto vite. Futbollistë cilësorë, por që Vllaznia i mposhte sistematikisht në kampionatet e moshave.

Partizani ? Duel i fortë dhe që hap vitin 2023, e gjykoj ndeshje shumë të vështirë. Besoj se do ishte pozitive edhe një barazim duke qenë se ndeshja është në transfertë”.
Endri ÇINARI