Java e 15-të e Superiores e ngre siparin ditën e sotme, në orën 18:00, me kryesfidën Partizani-Tirana. Derbi i madh i kryeqytetit do të luhet në “Selman Stermasi” dhe, siç ndodh zakonisht, pritet të ngërthejë interesin e tifozërive të dy skuadrave, por jo vetëm.

Nëse shohim klasifikimin aktual, me të kuqtë në krye dhe bardheblutë në vendin e tetë, mund ta konsiderojmë si derbin e ekstremeve. Sidoqoftë, të tilla përplasje mbeten rivalizuese përherë e deri në grimën e fundit të fuqisë.

Ka ndodhur kështu edhe kur Partizani luante në kategoritë inferiore, edhe në miqësore, jo më në ndeshje zyrtare, ku pikët janë të domosdoshme për të dyja palët, edhe pse për qëllime të ndryshme për momentin.

Duke ditur rëndësinë e një ballafaqimi të tillë, por edhe shkallën e vështirësisë për të vendosur drejtësi, FSHF ka caktuar gjashtë gjyqtarë për derbin e sotëm. Kryesor do të jetë lezhjani Eldorian Hamiatj, i ndihmuar nga dy anësorët: Ridiger Cokaj dhe Denis Rexha.

Gjyqtarë mbas porte do të jenë Juxhin Xhaja dhe Klajdi Kola. Gjyqtari i katërt është caktuar Dojando Myftari. Delegat i kësaj kryendeshjeje do të jetë vetë shefi i sektorit të garave në FSHF, Lysien Nurishmi. Kujtojmë se ky është derbi numër 151 mes Partizanit dhe Tiranës. Ai luhet për herë të dytë në këtë sezon, në Superiore. I pari u fitua 1-0 nga “demat e kuq”, me golin e Esat Malës./telesport/