Eqerem Memushi mendon se brohoritjet dhe koret në stadiume ndodhin kudo në botë dhe nuk mund të ndalen dot. Në unison edhe me drejtuesit e klubit, trajneri thekson se sipas pamjeve filmike, delegati Bujar Pregja ka provokuar tifozët. Gjithsesi, Disiplina ka vepruar dje me “dorë të hekurt” ku klubi është gjobitur për hedhjen e sendeve në fushë, ndërsa trajneri Memushi është pezulluar me 6 ndeshje për sjelle jo sportive ndaj zyrtarëve të ndeshjes.

Në intervistën e të dhënë për “Panorama Sport”, Memushi flet edhe për kartonin e kuq, si dhe dënimin e Disiplinës, që e quan të ekzagjeruar. Ai pohon se nuk është i çmendur që të ofendojë, aq më shumë kur skuadra e tij është në fitore. Trajneri e shikon vendimtare ndeshjen me Tomorin në Berat dhe nuk e çon nëpër mend që të kthehen në Vlorë pa fitoren. Me Memushin të dënuar, me shumë mundësi nga pankina ekipin do ta drejtojë Edmond Liçaj.

Memushi, drejtuesit e klubit kanë reaguar për delegatin Pregja, të cilin e akuzojnë për provokim të tifozëve. Keni një koment?

Nuk e kam parë reagimin e delegatit. Kam qenë lart në tribunë, pasi dola me karton të kuq. Por siç thotë klubi dhe nga pamjet filmike, ai ka provokuar. U bëj thirrje tifozëve që në çdo ndeshje të mbështesin ekipin, të mos hedhin sende, pasi dëmtohet klubi e qyteti. Pastaj brohoritmat ndodhin në çdo stadium dhe nuk ndalen dot.

Nuk ishte ngjarja e vetme kjo. Ju dolët me karton të kuq…

Në pankinë është gjithmonë tensioni i brendshëm. Ndoshta të del vetë edhe ajo “fjala e keqe”. Nuk kisha gjë me asnjë, e kishim me ekipin dhe veten tonë. Nuk kishim probleme, as me drejtuesit e FSHF, as me arbitrin e katërt apo me kryesorin. Ai e pa vendimin, ashtu e mori, dhe ne do ta pranojmë siç e mendoi ai. Unë u afrova për të folur me të dhe për t’i thënë se si qëndronte e vërteta.

Disiplina ju ka pezulluar me 6 ndeshje. Keni një koment?

Vendim shumë i ekzagjeruar. Janë gjëra që ndodhin. Unë jam trajner me eksperiencë. Nuk jam çmendur që të shaj kur skuadra është 2-0. E kisha me lojtarët e mi, që nuk po përgjigjeshin siç doja unë. Nuk mund të vendosë një djalë i ri, gjyqtari i katërt që unë kam sharë dhe kryesori ta marrë të mirëqenë. Të hapin filmimet dhe të shikojnë që nuk ka asnjë ofendim nga unë. Ju bëj thirrje të kenë kujdes me ne trajnerët që marrim kostot e dënimit. Të mos tallet një fëmijë me bukën tonë, të të gjithë trajnerëve. Kur gjyqtarët gabojnë, thonë që e vendosi VAR-i, ndërsa ne na dënojnë për asgjë. Të maten mirë dhe komisionet kur marrin vendime. Edhe ne duhet të jemi të kujdesshëm, por këto janë emocione që nuk kontrollohen. Ndodhin në gjithë botën, por vetëm Flamurtari dënohet dhe dëmtohet. Gjatë gjithë javës, por edhe natën ne jemi në tension të madh. Të na kuptojnë edhe ne.

Në fund të pjesës së parë me Korabin hytë në dhomat e zhveshjes dhe duket se e karikuat skuadrën. Mund të na zbuloni se çfarë ndodhi?

Unë jam futur në dhomat e zhveshjes dhe skuadra ishte e qetë. Po ju trego në ligjëratë të drejtë çfarë u thashë: “Djema, kemi bërë një pjesë të parë shumë të mirë. Duhet të fusim një marsh më lartë se po shikoj që kundërshtari po vjen në rënie. Nuk duhet të humbasim asnjë mundësi dhe me pasime të qarta t’i shkojmë portës me qetësi. Godisni portën për të bërë presion dhe për të trembur portierin”. Këto fjalë u thashë. Unë kisha bindjen se do ta fitonim. Në futboll duhen tri pikët në fund. Pastaj se çfarë vjen nga mbrapa e menaxhon skuadra dhe ne nga jashtë. Më bëri përshtypje pas rezultatit 2-0, që e ndoqa nga tribuna. Skuadra po luante përpara dhe nuk u tërhoq që të mbronte rezultatin, por imponon për të shënuara akoma.

Sfida e radhës në transfertë është ajo me Tomorin. Çfarë prisni nga ky takim?

Ndeshja e radhës për skuadrën është më vendimtarja për ecurinë tonë. Unë nuk e imagjinoj dot që të vijmë të mundur nga Berati. Duhet që të luajmë për tri pikë që të mbajmë këtë ritëm. I kemi të gjitha mundësitë për ta fituar. Edhe në organikë kemi kualitete më shumë se Tomori. Do ta synojmë tri pikët.

Në këto ndeshje tifozët kanë qenë dashamirës ndaj jush si trajner. Keni një mesazh për publikun?

Unë gjithmonë e kam bërë thirrjen. Janë lojtari ynë i 12-të. Ne kemi një publik të mrekullueshëm dhe që e do futbollin. U bëj thirrje të jenë në përkrahje të Flamurtarit në këtë moment jo të mirë. Ne kemi objektivat dhe pretendimet tona. Pjesa e mungesës së rezultateve i largon tifozët nga skuadra, por nuk duhet të ndodhë kështu. Tifozët i duam sa më pranë nesh.