Lukas Hernandez ishte një prej 23 emrave që kthyen këtë verë Francën në majën e futbollit botëror, një arritje e madhe që do të bënte krenar çdo prind të këtyre futbollistëve.

Por me sa duket nuk është kështu për mbrojtësin e Atletiko Madrid, i cili ka treguar vlerat e tij edhe me klubin spanjoll duke fituar Ligën e Europës para verës.

Në një intervistë për “Le Parisien”, ai ka treguar se nuk komunikon me babain e tij prej shumë kohësh, pasi ka braktisur familjen e tij që kur ishte fëmijë.

“Nuk kam asnjë lajm prej tij prej 13 vitesh, nuk ndodhi as pasi fitova Botërorin. Tani që jam baba edhe unë, jam edhe më i ndërgjegjshëm për dëmin që ka bërë, ka dështuar si prind”, tregoi 22-vjeçari.

“Nëse do ta takoja një ditë, do të flisja padyshim me të. Por nuk e imagjinoj dot veten duke braktisur fëmijën tim. Nuk do ta bëja për asnjë arsye në botë.

Nëse do të më duhej të flija poshtë një ure për lumturinë e fëmijës tim, do ta bëja pa asnjë dyshim”, tregoi mbrojtësi. /vipsport/