Pas ndeshjes me Goga Basket, për gazetarët ka folur trajneri i kësaj të fundit Melzin Lazimi e ndërkohë u prit që para tyre të dilte edhe trajneri i Vllaznisë Neven Plantak. Por në fakt nuk ka ndodhur kështu.

Para mikrofonëve është paraqitur drejtori sportiv Altin Halili i cili u shpreh: “Pavarësisht përforcimeve, lojtarët ishin të çorientuar totalisht. Me atë që pashë, lojtarët kërkonin ti përfundonin sulmet në mënyrë individuale.

Mendoj se publiku ndikoi pak, pasi një pjesë e lojtarëve kishin emocione sepse nuk u shprehën ashtu si në ndeshjen e kupës ndaj Teutës dhe gjatë stërvitjeve. Të them të drejtën ndeshjet tona direkte do të jenë ndaj Tiranës, Kamzës dhe Partizanit”.

Ndërkohë i pyetur nëse beson se gjërat mund të ndryshojnë në të ardhmen, drejtori Halili shton:
“Sigurisht që besimi për të bërë më mirë ekziston dhe jam i bindur se ne do ia dalim, pavarësisht se u mposhtem nga Goga, por është sot ekipi më i mirë në kampionat dhe jo më kot është në vendin e parë”.

Duke qenë në postin e drejtorit sigurisht që në adresë të tij do të shkonte edhe një pyetje për blerjet e bëra të cilat sonte nuk bindëm. Edhe vetë Halili e ka pranuar një gjë të tillë kur shprehet: “Edhe unë jam i mendimit se lojtarët e huaj nuk paraqitën asgjë nga vlerat e tyre.

Vetëm lojtari me numrin 20 (Malik Carter) u mundua të merrte rolin e protagonistit, por edhe me shumë gabime. Shpresojmë që këta lojtarë të vijnë duke e rritur performancën e tyre sepse skuadra ka nevojë për to”.
© shkodrasport.com