Viktor Gjoni zbardh debatin që solli sherrin në ndeshjen Flamurtari-Tërbuni. Gjatë një reagimi për “Panorama Sport”, drejtori teknik i klubit pukjan zbulon se ishte Marcelo Troisi që e acaroi, ndërsa mendon se situata u agravua kur zbriti poshtë në fushë Sinan Idrizi.

“Kur topi dilte nga anësorja, trajneri nuk e jepte dhe e fuste poshtë stolave të pankinës. Unë ia kërkova dy herë atij dhe i thashë edhe arbitrit.Më pas debatova, gjë që e dëgjoi edhe arbitri. Çfarë debatuam pastaj?! Pasi ai nuk dinte shqip dhe as unë braziliançe. Troisi diçka më tha, por nuk e kuptova fare.

Unë i thashë vetëm mbylle! I kam bërë me shenjë mbylle! Mua nuk më rëndon puna e trajnerit, por ajo e publikut. Më rëndon nga ana morale, pasi nuk jam nga ajo kategori që të shaj tifozët. Unë nuk kam asnjë gjë me ta.

Unë nuk jam budalla, me gjysmë truri, që të provokoj njerëzit në stadium. Nëse do ta bëja do të kërkoja falje, por kurrë nuk ndodh.As nuk e kam parë që paskam marrë karton të verdhë dhe as nuk e di pse e kam marrë. Ishte një keqkuptim apo nerva loje, që erdhën prej vonesave. Atij i interesonte sigurisht që të më nervozonte, pasi ishin minutat e fundit, kuptohet.

Ti je trajneri, nuk mund ta marrësh topin e ta fshehësh… Unë vij ta marr, ti e fut poshtë karrigeve”, thotë fillimisht Gjoni.

HISTORIA

Zyrtari i klubit të Tërbunit, thotë se incidenti u ”fry” nga historia, ndërsa kujton kohën kur i zbritën në Kategorinë e Dytë. “Edhe njerëzit e dinë tashmë. Tërbuni ka nxjerrë Flamurtarin në Kategori të Dytë.

Tani ky është sport, ndodhi një fatkeqësi. Po të më pyesje sot a meritonte Vlora të dilte nga kategoria me atë histori që ka, kurrsesi jo. Ardhja e Sinan Idrizit në pankinën tonë ishte e pakuptimtë fare. Unë isha ulur brenda pankinës sime. Ai e acaroi më tepër situatën.

Presidenti ka pasur ngarkesën që me tri vitet e kaluara, kur e nxorëm nga kategoria. Nuk duhet të vinte presidenti të më kapte mua për krahu atje.

Unë isha në vendin tim. Më kapi edhe një djalë i ri prej krahu e se çfarë më tha. Por kishte zhurmë dhe nuk e dëgjova mirë. Unë bëj autokritikë që kam kaluar nga zona ime, kam kaluar dhe kam kërkuar llogari për vonesën e lojës për mosdhënien e topit nga Troisi. Kjo solli gjysmë debatin, pasi vesh s’u morëm kurrë”, shtoi ndër të tjera drejtori.

AUTOGOLI

Ai ka pretendime edhe për autogolin, që sipas tij nuk e ka kaluar vijën fatale. “Kam pretendime edhe për autogolin. Nuk e ka kaluar vijën fatale. Pyeta mbrojtësin Metanin dhe portierin e më thanë nuk ishte gol. As vetë tifozët nuk e kuptuan, se nuk gëzuan. Nga ai moment ndryshoi rrjedha e ndeshjes. Sikurse gabova unë ama që dola nga zona e pankinës, gabon edhe gjyqtari”, përfundoi Gjoni.