Vllaznia nuk është ajo që pritej në fillim të sezonit dhe kjo paraqitje ka disa shkaqe. Ne do të ndalemi te njëri: forma e sulmuesve. Gjashtë sulmuesit e aktivizuar deri më tani nga trajneri Mirel Josa, në 8 ndeshje të luajtura në Kategorinë Superiore kanë prodhuar vetëm 3 gola.

Për të treguar se sa pak është kjo shifër mjafton të themi se Xhixha i Tiranës ka tundur rrjetën 10 herë deri më tani. Pra ka shënuar më shumë se trefishi i 6 sulmuesve të Vllaznisë.

LATIFI – “Ylli” i ekipit në sezonin e kaluar nuk po tregohet i tillë në këtë sezon dhe arsyeja është një dëmtim e që e mban prej javësh jashtë fushave. Ai ka luajtur gjithsej vetëm dy ndeshje, pa arritur të lërë asnjë shenjë.

HOXHAJ DHE KAINA – Kjo dyshe janë të vetmit që mbajnë lart flamurin e repartit të sulmit te Vllaznia. Vlonjati është treguar vendimtar me dy gola të shënuar, ndërsa braziliani përveç një rrjete, ka arritur të dhurojë edhe dy asiste. Ai është i vetmi që ka asistuar nga gjashtë sulmuesit e shkodranëve.

REZERVAT – Çoba nuk preferohet shumë nga Josa, por gjithashtu duket i fikur këtë sezon. Të njëjtën gjë mund ta themi edhe për Aralicën, që ka shënuar vetëm në Kupë.