Eliminimi nga Kupa e Shqipërisë ia vështirëson më shumë punën skuadrës laçiane për të arritur objektivin sezonal, ku si çdo vit kërkohet sigurimi i një bilete për në Kupat e Europës.

Tani Laçi i trajnerit Armando Cungu mund ta arrijë këtë synim vetëm nga kampionati, ndaj çdo ndeshje e mbetur konsiderohet si finale për kurbinasit, për vetë ngjeshjen që kanë skuadrat në renditje. Misioni “Europë” për bardhezinjtë nis nga ndeshja e radhës, të cilën e luajnë të dielën në shtëpi, ora 14:00, ku presin kampionët në fuqi, Partizanin.

Një duel delikat për të dyja ekipet, që vijnë në këtë përballje pas zhgënjimeve respektive që pësuan në mesjavë, ku u eliminuan nga Kupa e Shqipërisë. Laçi-Partizani, e vlefshme për javën e 22- të të Superiores, mund të quhet një finale për Europën për të dyja ekipet, pasi kërkohet maksimumi për të mos humbur pozitat në renditje, përkundrazi kërkojnë ngjitjen.

Kurbinasit do të kenë një mungesë të rëndësishme në këtë takim, Ardit Deliun, i cili është i pezulluar nga plotësimi i numrit katër të kartonëve të verdhë. 22-vjeçari i ka luajtur të 21 ndeshjet e kampionatit dhe ndaj Partizanit i vjen radha që të pushojë për herë të parë.

Mesfushori është një lojtar polivalent për stafin, pasi në kushte emergjence është përdorur edhe në mbrojtje. Me mungesën e Deliut i bie që mesfusha e Laçit ndaj të kuqve të formohet nga treshja, Lushkja-ShehuRapo. Braziliani Teko mungoi në takimin e Kupës me Bylisin, por vijon të mbetet në dyshim edhe për të dielën ndaj të kuqve, pasi nuk është rikuperuar nga dëmtimi.