Champions League do të rifillojë në muajin gusht, por ka ende shumë paqartësi rreth vijimit të këtij sezoni.

Katër skuadra janë kualifikuar në çerekfinale dhe pritet të mësohen katër skuadrat e tjera.

Të gjitha ndeshjet e mbetura mund të luhen në një vend, teksa Stambolli dhe Lisbona janë alternativat.

Presidenti i FSHF-së, Armand Duka,  i cili është njëkohësisht edhe anëtar i bordit të UEFA-s, ka folur për “Radio Punto Nuovo” rreth kësaj temë.

Duka tregon ndryshimet që mund të ndodhin dhe vendimet zyrtare do të merren më datë 17 qershor.

“Jam shumë i kënaqur që futbolli italian rikthehet sot me një ndeshje shumë interesante: Juventus-Milan. Shpresoj që të përfundojë kampionati, rregullat në Itali janë pak të rrepta, por shpresojmë që ky sezon të përfundojë.

Final 8 në Lisbonë? E kam lexuar lajmin në gazeta, por nuk është marrë asnjë vendim deri tani. Grupet e punës po merren me këtë gjë dhe vendimi zyrtar do të merret më datë 17 qershor.

Nuk e di nëse do të luhet Champions League në Lisbonë, ka diskutime të ndryshme për këtë temë. Një prej tyre është e ardhmja e këtij kompeticioni: po mendojmë të luhet një ndeshje teke, jo më dy për t’u kualifikuar më tej.

Ende nuk ka asgjë zyrtare. Gushti do të jetë muaji i Champions League, gjithashtu ai i eliminatoreve për sezonin e ardhshëm. Ndoshta mund të luhen ndeshje teke, kështu mund të ndodhë edhe në Europa League.

Riformatimi i Champions League? Parashikohet një ndryshim për kualifikueset e radhës. Mund të zhvillohet një ndeshje teke nga faza çerekfinale e më tej. Do të diskutohet gjithçka më 17 qershor, veçanërisht se si do të përfundojnë kompeticionet e këtij viti”, deklaroi Duka.