Xhakomo Vrioni do të jetë mbrëmjen e sotme për herë të parë i grumbulluar me ekipin e parë të Juventusit.

Sulmuesi i talentuar i cili është pjesë e të rinjve bardhezi, prej disa ditësh është stërvitur me yjet e drejtuar nga Mauricio Sarri dhe mesa duket ia ka mbushur mendjen trajnerit të “Zonjës së Vjetër”, për ta grumbulluar në gjysmëfinalen e Kupës së Italisë ndaj Milanit.

Një ëndërr e bërë realitet për Vrionin për të cilin pritshmëritë janë të mëdha, ndërsa fati mund të rezervojë mbrëmjen e sotme edhe një debutim për sulmuesin.

Kështu, pas Manaj te Barcelona dhe Brojës te Çelsi, Shqipëria ka edhe një tjetër futbollist në një nga klubet më të rëndësishme europiane dhe e ardhmja e ofensivës shqiptare duket në duar të sigurta. /Vipsport/