Kësaj Asambleje i kanë paraprirë dy vendime, por ankimuesit janë tërhequr. Sidoqoftë është një tjetër që po shqyrtohet dhe FSHF pret që të shfuqizohet. Në respekt të gjykatës, Asambleja e sotme vndosi t’i shtyjë zgjedhjet për presidentin e ri të FSHF dhe Komitetin e ri Ekzekutiv për datën 15 mars, ora 10:00.

Në fjalën e tij, Armand Duka u shpreh: “Është kënaqësi sot që Asamblenë tonë e nderojnë sot shumë miq dhe të ftuar. Më uroni t’i uroj mirëseardhjen delegacionit të UEFA-s dhe presidentit të Federatës Italiane, Gabrieleve Gravina si dhe delegacionit të FIFA-s. I uroj mirëseardhjen Agim Ademi dhe Muhamed Sejdini. Falënderoj trajnerin Edy Reja me të cilin uroj që ta sfidojmë dhe konkurrentin e tij Gianni De Biasi. Përshëndes të gjithë të ftuarit. Më vjen mirë që pas një periudhe të gjatë kufizimesh për shkak të COVID më vjen mirë që kthehemi në normalitet.

Disa Asamble i kemi zhvilluar online. Të mblidhemi bashkë fizikisht dhe të shtrëngojmë duart është diçka ndryshe dhe e domosdoshme për ne. Pavarësisht vështirësive ne kemi punuar për ta çuar përpara lojën. Lufta me kohën na ka kalitur dhe na ka shërbyer si eksperiencë. Kjo është një vlerë e madhe. Kjo forcë buron nga fryma e sakrificës dhe fair-play që na injekton çdo ditë loja e futbollit.

Ne jemi të qartë për atë që ka ndodhur. Duke kërkuar me qetësi me atë që ka ndodhur gjatë këtyre ditëve, unë dua që të punojmë për të çuar përpara futbollin. Nuk duhet të ndikohemi nga situatat artificale që janë krijuar. Nuk zgjidhet asgjë me gjyqe dhe penalitete. Iu kërkoj vetëm një gjë, bashkim dhe kontribut për lojën e përbashkët. Futbolli ka nevojë për të gjithë ne. Dua të falënderoj të gjithë ata që kanë kontribuar në këtë vit të vështirë, veçanërisht lojtarët e ekipit Kombëtar.

Shkëlqejmë në futboll me rezultate të prekshme dhe të matshme. Dua të vlerësojmë rezultatet e ekipit Kombëtar A, edhe pse në kushte të vështira, bëri një përfaqësim dinjitoz. Treguam lojë të mirë. Këtë herë arritëm një rekord pikësh prej 18. Cilësia është e mirë, e ardhmja e sigurtë. Infrastruktura për ne është gjëja më e rëndësishme që e kemi vazhduar edhe në vitin 2021.

Kjo periudhë e vështirë që kaluam mes tërmetit dhe pandemisë, na mësoi që të vlerësojmë solidaritetin njerëzor për të arritur objektivat që i vumë vetes. Të jemi sa më solidarë brenda familjes tonë të futbollit. Asgjë s’është e pamundur nëse s’jemi të gjithë bashkë. Të flasim dhe të shpalosim sfida. Ka forcën për të ecur përpara. Çdo përpjekje për të gjetur zgjidhje jashtë futbollit, krijon përshtjellim dhe kaos. I uroj punë të mbarë Asamblesë së Përgjithshme të FSHF-së”.