Kategoria Superiore mbylli dje javën e nëntë. Në pesë takimet u shënuan 15 gola, teksa u prodhuan dy fitore dhe tre barazime. Kukësi mori fitoren më deçizive këtë javë me bardheblutë, duke iu afruar kryesuesve të Tiranës.

Vllaznia rikthehet te fitorja pas tre ndeshjesh “jo”, ndërsa Partizani rikthehet te barazimet. Sfida në “Air Albania” me Laçin u mbyll 1-1, teksa këtë rezultat prodhoi edhe takimi Dinamo – Egnatia. Barazimi 2-2 mes Teutës dhe Skënderbeut ka qenë sfida më e luftuar dhe e komentuar për shkak të vendimeve të arbitrave.

Në bazë të paraqitjeve në fushë, newsport.al ju sjell formacionin me lojtarët dhe trajnerin më të mirë. Pjese e ketij formacioni jane dhe dy futbolliste te Vllaznise, Gurishta dhe A.Hoxhaj.

Formacioni (4-2-3-1): Puja, Zguro, Bajrami, Lulaj, Gurishta, Telushi, Shehu, L. Vila, Hoxhaj, Basa, Seferi Trajner: Diego Longo.

Bruno Puja (Egnatia) – Portieri i rrogozhinasve shpëtoi disa herë skuadrën nga goli, teksa ka qenë deçiziv në dy momete. Pjesë edhe e skuadrave Kombëtare të moshave kuqezi, Puja ka treguar këtë sezon se është një pikë fikse në katërkëndësh. Sezoni i mirë i Egnatias vjen edhe nga pritjet e gardianit 21 vjeçar kavajas.

Vangjel Zguro (Skënderbeu) – Kapiteni udhëhoqi bardhekuqtë në barazimin 2-2 me Teutën, në një sfidë të kontenstuar për shkak të vendimeve të gjyqtarëve. I kudondodhur në fushë, Zguro është ai lloj lideri që nuk e lë asnjëherë në baltë skuadrën. Tej aftësive të padiskutueshme, 29 vjeçari ka marrë më tepër përgjegjësi edhe pasi pranoi shiritin e kapitenit në krah.

Melos Bajrami (Skënderbeu) – 21 vjeçari i korçarëve vendosi rekord në Superligë, duke shënuar pas vetëm 20 sekondave nga hedhja në lojë si zëvendësues. Bajrami i dha një pikë shprese të besuave të Memellit, që këtë sezon janë sërish në zonën e ftohtë. Goli i parë për djaloshin në Superligë, që sheh sezonin e dytë titullar në elitën e Shqipërisë.

Bruno Lulaj (Kukësi) – Kapiteni i Kukësit ishte ndër lojtarët më të mirë dje në fushë, në fitoren e verilindorëve ndaj Tiranës. Të besuarit e Longos afrohen me tre pikë ndaj Tiranës së kreut, duke e bërë kampionatin interesant. Lulaj tregoi se është pikë fikse në prapavijë, teksa bllokoi disa herë sulmet e kundërshtarit. Me kthimin nga dëmtimi, Kukësi e ka një lider në prapavijë.

Erdenis Gurishta (Vllaznia) – Kapiteni rikthehet të bëjë rolin e tij në mbrojtje. Shkodrani që sezonin e shkuar ishte ndër më të mirët e elitës është rikthyer në formë optimale, edhe pse shpeshherë jo në rolin e tij nga e djathta. Në fitoren e fundit, loja e tij ra në sy për ndërtimin e aksioneve sulmuese dhe mbulimin e kundërshtarëve.

Bruno Telushi (Egnatia) – Një penallti e kthyer në gol dhe prishje e raporteve me Maganin. Egnatia mund të kishte dalë me pikë të plota nga sfida me Dinamon, teksa penallti e dytë u la nga vlonjati në këmbet e Pedros, që e humbi. Kjo gjë tërboi Maganin pas sfidës, me aftësitë e Telushit që janë të padiskutueshme, duke e treguar edhe dje se ishte pika kyçe e mesfushës.

Julian Shehu (Laçi) – Një gol nga penalltia në ndeshjen me Partizanin dhe performacë e mirë në mesin e fushës. Ish-lojtari i Shpresave të Shqipërisë po tregon këtë sezon se është konstant në paraqitjet e tij, duke bërë që trajneri Josa t’i besojë në mesin e fushës detyra jo të lehta.

Lorenco Vila (Teuta) – Vila i vogël është rikthyer deçiziv me durrsakët në barazimin 2-2 ndaj Skënderbeut. Dopietë e fantazistit për dy gola fenomenalë në Kamëz, me Teutën që i falet formës së mirë të tij. Dëmtimi e mbajti jashtë djaloshin për tre muaj, teksa me kthimin në fushë, duket rëndësia që ai ka në 11-shen e Martinit.

Ardit Hoxhaj (Vllaznia) – Dopietë dhe heshtje e kritikëve. Vlonjati spikati në fitoren e shkodranëve, duke I treguar Brdaric se do ketë vështirësi për zgjedhjet në formacion. Sulmuesi anësor po rikthehet në formën e vjetshme, duke qenë deçiziv për kuqeblutë në një ndeshje që në fund rezultoi e lehtë. Jo më kot për paraqitjet e vjetshme interesi për të në merkato nuk mungoi as nga Turqia.

Edi Basa (Kukësi) – Kroati shënoi një gol dhe dhuroi një asist në fitoren e verilindorëve me Tiranën. Mbase Basa është goditja më e spikatur e verës në Superligë, duke shënuar deri në javën e nëntë pesë gola, asnjë nga pika e 11 metërshit. Forma e shkëlqyer ka bërë që Basa të jetë njeriu i momentit te Kukësi, teksa goli i djeshëm dhe forca e goditjes së topit janë një tjetër histori.

Taulant Seferi (Tirana) – Sulmuesi ka shënuar pesë gola këtë sezon, një nga të cilët nga penalltia. Humbja e djeshme e bardhebluve nuk e zbeh pozicionin e Seferit në ekip, me sulmuesin që u grumbullua së fundmi sërish nga trajneri Edy Reja në Kombëtare. Driblues, I fuqishëm fizikisht dhe i mirëvendosur, Seferi është një vlerë e shtuar për Superligën tonë.

Trajner: Diego Longo (Kukësi) – Metamorfoza e verilindorëve këtë sezon është meritë e italianit të stolit. Longo ka ditur të bëjë bashkë cilësitë, teknikën dhe lojën e bukur, me Kukësin që të “kënaq sytë” në fushë. Fitorja e fundit dhe mënyra e lojës së verilindorëve sjell shpresë se me Longon në stol, Kukësi do jetë pretendent për titullin kampion. Në eksperiencën e tij të parë si trajner i një ekipi, Longo ka bindur edhe më skeptikët.