E ardhmja e mbrojtësit shqiptar, Marash Kumbulla, ende nuk është vendosur. Futbollisti është në kontratë me Romën, por nuk dihet ende nëse do të jetë pjesë e verdhekuqve në sezonin e ri.

Kumbulla nuk u aktivizua në shumë ndeshje nën drejtimin e Mourinho dhe për këtë arsye, shpesh është përfolur për një largim të tij.

Interesimet për lojtarin nuk mungojnë, teksa te Torino e kërkojnë prej kohësh. Trajneri Ivan Juric, e ka pasur nën urdhrat e tij Kumbullën te Hellas Verona dhe dëshiron ta ketë edhe te Torino.

Në garë për shërbimet e shqiptarit së fundmi thuhet se është futur edhe Fiorentina, skuadër e cila është në kërkim të një mbrojtësi, për të zëvendësuar Milenkovic, i cili do të largohet këtë verë nga Firence.