Një risi vjen në listën e Shqipërisë për ndeshjet e Ligës së Kombeve në fundin e këtij muaji. Kombëtarja kërkon me patjetër vendin e parë, ndërsa e vetmja mënyrë sesi mund të arrihet, është fitorja kundër Israelit dhe Islandës.

“Ora News” ka zbuluar se trajneri italian ka thirrur së fundmi edhe Albi Dokën. Ish-futbollisti i Tiranës, që aktualisht është në organikën e Honved, do të jetë pjesë e Shqipërisë për dy ndeshjet e fundit të grupit.

Një lëvizje e tillë mund të lërë në stol Elseid Hysajn. Kjo pasi Doka ka treguar gjithmonë më tepër produktivitet në krahun e djathtë me daljet e tij në sulm, ndryshe nga Hysaj. Ndërkohë Balliu ka provuar që të luajë edhe në të majtë në karrierën e tij, pavarësisht se aktualisht po kalon kulmin e formës si mbrojtës i djathtë në La Liga.

Hysaj-Balliu apo Balliu-Doka? Mbetet që të vendoset nga trajneri Reja.

Por nuk duhet të harrojmë se me dëmtimin e Gjimshitit dhe Kumbullës, nuk do të ishim aq të befasuar nëse Hysaj merr një vend të lënë bosh nga këto dy elemente duke ditur se pika e vetme e fortë e shkodranit është faza mbrojtëse. Sigurisht, në futbollin modern kjo nuk mjafton për një lojtar krahu.