Jeton Beqiri nuk është më trajner i Bylisit.“Panorama Sport” mëson nga burime të sigurta në klubin ballshiot, se 42-vjeçari është larguar nga drejtimi i ekipit pas një bisede që ka pasur së fundmi me presidentin Besnik Kapllanaj.

Trajnerit tetovar i ka ardhur një ofertë joshëse nga një klub në Arabinë Saudite dhe kësisoji palët janë ndarë me mirëkuptim. Gazeta zbulon se presidenti Kapllanaj pritet të zgjedhë një mes Arjan Bellait, Gentjan Mezanit dhe Emanuel Egbosë si trajner.

Favorit mësohet se është ish-mesfushori gjirokastrit i Kombëtares, Bellai, i cili së fundmi ka drejtuar disa ekipe në Greqi si Apollon Larisa dhe Kallamata.
Gjithashtu ka qenë trajner edhe i Kombëtares shqiptare U-19 në vitet 2015-2016.

Sipas të gjitha gjasave, në seancën e nesërme drejtuesit e klubit do të prezantojnë para ekipit trajnerin e ri, Bellai, i cili ka qenë edhe i pranishëm në tribunën e stadiumit “Adush Muça” në testin që Bylisi luajti me Tiranën të shtunën.