Vllaznia do të luajë nesër në ora 17:00 në “Loro Boriçi” ndaj Laçit ndeshjen e rradhës për kampionat. Në fakt, pas humbjes së thellë me Partizanin, situata tek kuqeblutë është e vështirë. Megjithatë, ekipi shkodran pritet të hyjë në fushë me një objektiv të qartë për ta fituar ndeshjen, pavarësisht mungesave që do të ketë në rradhët e saj dhe situatës që po kalon.
Trajneri Qatip Osmani deklaroi sot në konferencën për shtyp se Vllaznia ndaj Laçit mund të ketë edhe ndonjë ndryshim në formacionin që do ta nisë këtë sfidë nga minuta e parë. Kështu, në portë ndaj Laçit do të jetë Kristi Qarri. Në mbrojtje, Eslit Sala do të luajë në krahun e djathtë, në mungesë të Geralb Smajlit, raporton shkodrasport.com.
Në qendër të prapavijës do të jetë dyshja Milos Stojanoviç dhe Marko Juriç. Ndërkohë, në krahun e majtë të mbrojtjes pritet të rikthehet Esin Hakaj. Me skemën 4-2-3-1, përpara mbrojtjes do të jetë dyshja Ardit Krymi dhe Lorik Boshnjaku. Para saj do të luajnë tre futbollistë të tjerë.
Nga e djathta me shumë mundësi, këtë herë do të jetë Mehdi Çoba, ndërsa në krahun tjetër të sulmit pritet që ta nisë si titullar Darko Dodev. Në mes mendohet të luajë Rejan Alivoda. Ai do të jetë në mbështetje të Ildi Grudës që do të jetë në majë të sulmit, në mungesë të kapitenit Bekim Balaj.
Me këtë formacion, Vllaznia do të tentojë të rikthehet tek fitorja, edhe pse në pamje të parë, kjo duket e vështirë me formën që po kalojnë aktualisht të dy skuadrat, por futbolli gjithnjë ka të papritura dhe në këtë mënyrë, shkodranët do të tentojnë vetëm fitoren nesër ndaj Laçit./SHKODRA-SPORT.COM/