Taulant Xhaka i thotë “jo” ftesës së Shqipërisë për të qenë i pranishëm në ndeshjet e muajit shtator dhe për të veshur fanellën kuqezi në sfidat kualifikuese të Botërorit.

Mesfushori shqiptar duket se është krisur përfundimisht me trajnerin Edi Reja dhe nuk mendon për momentin të veshë fanellën e përfaqësueses.

Xhaka ka kaluar një vit të vështirë, mes dëmtimesh të njëpasnjëshme ndaj ishte larg Kombëtares për një periudhë të gjatë. Por pas kthimit në gjendjen optimale fizike, aktivizimi i tij te Bazeli ka qenë i rregullt e ai po gëzonte një formë mjaft të mirë. Kjo shtyu Rejan që të mendonte rikthimin e tij në kombëtare, ku mungonte që nga viti 2019.

“Panorama Sport” ka mësuar se mesfushori ka refuzuar ftesën që i ka mbërritur në klub, duke zgjedhur të mos jetë në dispozicion të kuqezinjve për duelet e shtatorit, edhe pse këtë radhë nuk duket se ka diçka konkrete që e pengon atë ta bëjë një gjë të tillë.

Për Xhakën mund të kishte një vend në mesfushë në ndeshjet ndaj Polonisë, Hungarisë e San Marinos, duke llogaritur se Amir Abrashi është i dëmtuar dhe nuk mund të jetë pjesë e kuqezinjve për duelet në fjalë.