Lionel Messi nuk është nga kjo botë, sipas bashkëlojtarit të tij te Barcelona, Malcom. Mundësia për të punuar me pesë herë fituesin e “Topit të Artë” është një privilegj për sulmuesin brazilian, që u bashkua me katalanasit gjatë merkatos së kësaj vere.

Ai ishte nisur për te Roma, në fakt, pasi klubi verdhekuq kishte rënë dakord me Bordo, por Barcelona e rrëmbeu atë me një lëvizje surprizë. Kampionët e La Liga-s siguruan shërbimet e tij për shumën e 41 milionë eurove.

21-vjeçari tani stërvitet çdo ditë me një yll si Leo Messi, që konsiderohet të jetë modeli më i madh për një talent të ri. “Për mua, Leo nuk është nga kjo botë, – tha Malcom për faqen zyrtare të Barcelonës, rreth kapitenit të tij. – Thjeshtësia dhe përulësia e tij janë të pabesueshme. Ai e meriton gjithë këtë lëvdim”.

Braziliani foli edhe për përvojat e tij të derisotme në “Camp Nou”: “Këtu është e gjitha si një familje. Gjithkush dëshiron më të mirën për gjithë të tjerët. Ka gjithmonë shaka në dhomën e zhveshjes, edhe në grupin e WhatsApp, që kemi te Barça.

Unë rri me brazilianët më shumë, por sjkoj mirë me të gjithë. Adaptimi është shumë i mirë. Po përshtatem dhe kam mësuar të flas pak spanjisht. Shkoj në kurs tri herë në javë. Po mësoj shumë çdo ditë nga shokët e ekipit tim”.

Malcom beson se ka mbështetjen e plotë të trajnerit Ernesto Valverde: “Unë kam folur me trajnerin dhe më ka treguar se për çfarë kam nevojë. Pra, marrëdhënia jonë është shumë e mirë. Është një sezon i vështirë, me shumë ndeshje. Por, prandaj kemi ardhur këtu, prandaj jemi te Barcelona, për të kaluar edhe pengesën më të vështirë dhe fituar sa më shumë trofe”.