Trajneri i Teutës, Edi Martini, foli për MCN TV, pas ndeshjes ku skuadra e tij barazoi 2-2 ndaj Egnatias. Martini u shfaq i zhgënjyer, duke thënë se është e pafalshme mënyra si i pësojnë golat në fund.
“Është e disata herë që na ndodh kështu, duke pësuar në fund. E dinim kë kishim përballë, por si erdhi loja, të shënosh në minutën e 95-të e ta pësosh në të 96-të është e pafalshme. Karakteri duhet më i fortë, u futëm të gjithë brenda, por nuk luftuam as për topin e parë dhe as për topin e dytë. Më vjen keq që të pësosh atë gol në fund, është e pafalshme.
Në pjesën e parë kishim raste, edhe në të dytën. Egnatia ka cilësinë dhe stolin për ndeshje, edhe lodhja bëri të vetën se brenda 4 ditëve dy ekipet kryesuese nuk është e lehtë t’i përballosh. Por më vjen keq se të kesh në dorë fitoren dhe ta prishësh dy herë në fund, është me të vërtetë keq.
Kjo është mungesë karakteri se kanë hyrë nën presionin e pikëve, janë të trembur, ia lënë njëri-tjetrit në dorë, nuk del dikush të thotë që ky top nuk kalon, pikë. Duhet vendosmëria në fushë, duhet karakter fitues që të kalosh atë vuajtje të minutave të fundit.
Ky është stres i paparë, më vjen keq se djemtë po luajnë. Më vjen të plas se duket sikur kemi shkelur diçka të keqe e nuk po arrijmë ta heqim nga trupi”- u shpreh Martini.