Teuta ka mundur të marrë një fitore shumë të rëndësishme ditën e sotme ndaj Vllaznisë, falë golit të kapitenit Arapi. Pas ndeshjes për “Super Sport” ka folur tekniku i durrsakëve, Edi Martini. Shkodrani është i kënaqur me të gjithë, megjithëse pretendonte të shënonte më shpejt për të relaksuar një pjesë të skuadrës.

“Ishte ndeshje e mirë, pavarësisht temperaturave dhe kushteve. E dominuam lojën, kishim shumë raste, e kontrolluam dhe nuk e vumë në diskutim ndeshjen. Kisha dëshirë të shënonim më herët që të linim lojtarë pushim, gjithsesi djemtë bënë shumë mirë dhe e merituam fitoren. E diela vjen shpejt dhe kemi ndeshje të rëndësishme në kampionat.

Mendoj që të sigurojmë sa më shpejt Kupat e Europës nga kampionati e pastaj me radhë. Ndeshja e radhës në kampionat është më e rëndësishmja. Nuk kam preferenca në gjysmëfinale, si me Kukësin, ashtu edhe me Tiranën kemi marrë rezultate pozitive ndaj tyre. Nuk i frikësohem asnjë prej ekipeve që do të kemi përballë.

Me të kuqin e Vllaznisë na u bë më e lehtë, por Kallaku është lojtar i cili gjen hapësira. Do i jap notë shumë të mirë nga portieri deri te sulmi, edhe pse nuk po shënojmë shumë, por po vrapojnë shumë e po punojnë. Javë pas jave, vështirësitë janë edhe më të mëdha”, u shpreh Martini. /vipsport/